Edicioni 2, Viti 2016
Edicioni i dytë i karikaturës në Ferizaj, 2016
Afrim Demiri YJET E VERDHË TË NJË ËNDRRE TË KALTËR
Kush thotë se gjithçka filloi nga fjala se ajo ishte e para, mund edhe ta ketë gabim. Për shumëkë mbase vija ka qenë e para shenjë, për të nxjerrë jashtë klithmën e dramës së brendshme njerëzore. Madje as vija, por vetëm pika, e cila filloi të lëshojë gjurmë në një vizë dhe pastaj, gjithçka filloi të shtrihet në kohë dhe hapësirë si vizë-pikë, pikë –vizë, për të marrë kuptimin e kufirit në mes reales dhe fantastikës. Kjo ndjenjë të krijohet derisa gjendesh në mes të yjeve të verdhë të një ëndrreje të përbashkët, që kishin parë dhjetëra karikaturistë, gjithandej Tokës sonë, të quajtur rastësisht planet dhe kishin vendosur ta sillnin në Ferizaj. Ata kishin ndjekur gjurmën e vijës për të gjetur dhe për ta shpërndarë ëndrrën e tyre, e cila i kishte robëruar ndër vite. Kjo ëndërr e tyre e kishte një emër – Europë, e cila shpesh në karikaturat e tyre himnizohej deri në ofshamën eu. Diftongu eu, në gjuhën shqipe tingëllon si një pasthirmë habie, trishtimi, shpesh më shumë se që tingëllon një ah! apo një oh! në çdo gjuhë të botës. Ky trishtim lexohet edhe në karakteret e karikaturave qofshin ato nga Kroacia, Kosova , Ukraina apo Kolombia dhe Kina. Herë si portë shpëtimi e herë si kufi trishtimi, Europa në fatet e njerëzve të thjeshtë, në dramën tragjike të refugjatit, në këto karikatura, sillet në kokën e tyre me dymbëdhjetë yjet e saj të verdhë si një kurorë, sa mallkimi po aq bekimi. Shpesh këta yje marrin kuptimin e absurdit të gurëve të sizifit. Tiparet europiane në pendat e karikaturistëve kapërcenin parafytyrimet reale, ato sa mbyteshin në simbolikën e verdhë, sa shpërthenin në kaltërsinë e pafund. Shikojeni një derë të hapur e një të mbyllur me katër brava, një fundosje deti dhe një fluturim reshë apo gjembat në mes të yjeve. In-Europa, ishte motoja e një performance, vite më parë organizuar pikërisht në këtë qytet, kur në një baner të rinjtë shkruanin mesazhet e tyre për përspektivën evropiane, pa ditur se getoizimi do të jetë fati i tyre. Në këto karikatura mund të shohim përtej një getoizmi dhe sado që shikimi ynë mund të jetë i përlotur dhe shpesh i përgjakur, por mbase nuk do të na imponohet motoja off-Europa. Shpreh bindjen, se nga kjo ekspozitë secili prej nesh do të dalim me nga një çelës në dorë, ky do të jetë çelësi që diku e kemi humbur për të hapur portën e shpresës.
Ekspozita e karikaturës në Ferizaj, në faqen e karikaturistit të njohur iranian Amir Soheili (tani i ndjerë)
Imri Musliu, intervistë për të përditshmen ‘’Koha Ditore’’, 26 mars 2016
“Hello Europe” në ditën e sulmeve në Bruksel
Refugjati sirian i varur në shkop me strajcë në krah del nga tyta e kallashnikovit të terroristëve të Shtetit Islamik apo të regjimit të Bashar Al Asadit. Kacavirret dhe është gati të bjerë me kokë poshtë në tytën e Bashkimit Evropian, shkruan sot Koha Ditore. 156 Anash kësaj karikature të artistit iranian Mahmoud Barkhordari është vendosur një karikaturë tjetër. Ajo me tryezë të mbuluar me çarçaf deti dhe me yje në formë rrethi, që simbolizojnë flamurin e BE-së, një barkë me refugjatë sirianë tenton të futet në njërin nga shtetet evropiane. Por refuzimi është i fortë. Ikja e refugjatëve me barkë zë vend edhe në një karikaturë tjetër. Gra e fëmijë kanë stërmbushur një varkë në kërkim të shpëtimit nga lufta dhe në këtë lundrim të rrezikshëm vdekjen e kanë më afër se këmishën e trupit. Pas sulmeve në Bruksel karikatura e iranianit do të mund të transformohej me tytën e terrorizmit që shtie në zemër të Evropës. Për 34 veta, e marta në këtë qytet ka qenë fatale. Humbën jetën nga tri sulmet me bomba në aeroportin ndërkombëtar dhe metronë e Brukselit në Belgjikë e 250 veta mbetën të plagosur. “Vdekja më afër sesa këmisha e trupit”, si në karikaturën me barkën mbushur me refugjatë, do të mund të vlente edhe për çdo banor metropoli që kërcënohet vazhdueshëm nga sulmet terroriste. Këto janë vetëm dy nga 80 karikaturat e një ekspozite. Në ditën kur kryeqyteti i Kontinentit të Vjetër u vesh në zi, 2.200 kilometra larg, në Ferizaj të Kosovës, si për rastësi, këto karikatura formësonin thirrjen “Hello Europe”. Bashkë, si në mozaik, krijojnë imazhin e asaj që po ndodh tash e sa kohë e disa prej tyre edhe atë që do të mund të ndodhte. Pas sulmit, reagimi edhe i karikaturistëve nga mbarë bota qe i fortë. Ajo që i bashkon është arti që frymon midis solidarizimit dhe mesazheve për paqe. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në shtojcën për kulturë në Koha Ditore).